Samstag, 17. November 2007

TUBIMET ISHIN ME KARAKTER GJITHËKOMBËTAR

Tubimet e minatorëve të minierës " Trepça " të Stari-Tërgut dhe të minatorëve e të punëtorëve të tjerë kishin karakter gjithëkombëtar. Ato zgjatën plot katër ditë, përkatësisht prej 17 deri më 21 nëntor 1988. Kërkesat dhe brohoritjet e minatorëve ishin në funksion të realizimit të qëllimeve kombëtare dhe të demokratizimit të sistemit politik.
Në marshet protestuese minatorët bartnin fotografi, flamuj, pankarta me parulla të shkruara, të cilat kryekëput ishin të pranueshme dhe në funksion të kohës dhe të politikës së proklamuar. Për ndryshim nga parullat që plasoheshin në pankartat me ikonografi çetnike e brohoritje shoviniste e luftënxitëse në tubimet e mitingjet serbe të të ashtuquajturit " jogurt-revolucion " të tyre, të cilat nxisin përçarjet ndërnacionale dhe qartazi thërrisnin në luftë e gjakderdhje, parullat në pankarta dhe brohoritjet e minatorëve ishin në frymën e kërkesave për barazi, që shqiptarët të mos jenë as të mos konsiderohen qytetarë të rendit të dytë, por ishin edhe kundër hegjemonizmit serbomadh.
Për të mos provokuar as pushtetin as qytetarët dhe për të evituar çdo veprim inkriminues, minatorët bartnin flamuj shtetërorë jugosllavë krahas flamurit kombëtar shqiptar e flamurit të minatorëve. U bartën edhe fotografitë e Josip Broz Titos dhe parullat si " Rroftë Komiteti Qendror i LK të Jugosllavisë !", " Rroftë Komiteti Krahinor dhe Kryesia e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës !", por edhe " Rroftë Kushtetuta e vitit 1974 !", " Të ruhen parimet e Kushtetutës së vitit 1974 !", "Ndërrime po, por vetëm ato që çojnë në demokratizim !", " Nuk duam ndërrime me presion !" " Jemi kundër zgjidhjeve me presion !", Minatorët brohoritën edhe " Poshtë politika serbo-madhe!", " Kaqusha-Azem!", " Kosova nuk është Vojvodinë!", e shumë të tjera.
Ditëve të marsheve të minatorëve dhe të tubimeve protestuese (17-21 nëntor 1988) pothuaj tërë populli shqiptar i Kosovës ishte në këmbë. Punëtorët shqiptarë, pothuaj të të gjitha organizatave punuese, shumë studentë e nxënës dhe një numër i madh qytetarësh nga të gjitha viset e Kosovës ia mësynë Prishtinës.
Kështu, më 17 nëntor, natën, rreth 2000 studentë e nxënës shqiptarë u bllokuan nga policia për t`i penguar që t`u bashkohen minatorëve të ‘ Trepçës " në shenjë solidarizimi dhe përkrahjeje të kërkesave të tyre. Këta studentë e nxënës kishin ardhur këmbë nga viset e ndryshme të Kosovës nëpër borë e shi dhe tërë natën, të lagur e të rraskapitur, kishin qëndruar të rrethuar nga policia.
Më 18 nëntor, në orët e hershme të mëngjesit, minatorët e Stari Tërgut u informuan se rreth 2000 studentë e nxënës kishin mbetur gjithë natën e kaluar të bllokuar nga policia dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre. Minatorët ishin shumë kategorikë dhe deklaruan se janë të gatshëm të ballafaqohen me të gjitha situatat që mund t`u imponohen. Në këtë mënyrë, ata arritën t`i lirojnë studentët e nxënësit dhe së bashku me ta e vazhduan rrugën për në pallatin e sporteve " Boro e Ramizi " në Prishtinë.
Ndërkaq, më 19 nëntor 1988 në mbrëmje, në emisionet informative në gjuhën shqipe në valët e Radio-Televizionit të Prishtinës u kumtua se në Prishtinë kanë arritur mbi 100 mijë njerëz, të cilët, përkundër të ftohtit, janë tubuar në qendër të qytetit dhe, para ndërtesës së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, po kërkojnë me këmbëngulje që të realizohen kërkesat e minatorëve. Pjesa më e madhe e kësaj mase qytetarësh qëndroi këtu deri në orët e hershme të mëngjesit.
Në kontinuitetin e rezistencës gjithëshqiptare, këto tubime masive-për nga numri i pjesëmarrësve, dhe konkrete-për nga paraqitja e kërkesave, patën jehonë të madhe jo vetëm në Kosovë e ish-Jugosllavi, por edhe në mbarë botën. Në ish-Jugosllavi e zbutën dukshëm intensitetin e fushatës antishqiptare, kurse në botë e internacionalizuan çështjen e Kosovës dhe të pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi.
Tubimet e nëntorit 1988 dhe kërkesat që u paraqitën kryesisht u përkrahën nga kuadrot udhëheqëse shqiptare në nivele komunale, por edhe krahinore. Fatkeqësisht, këto përkrahje u bënë në mënyrë individuale dhe me karakter interno. Prandaj, nuk është gjë e rastit që këto vlerësime nuk u dhanë menjëherë ngase nuk kishte mjaft forca politike dhe njerëzore në udhëheqjen e atëhershme aktuale të Kosovës që këto tubime shqiptare t`i vlerësonin si të drejta dhe politikisht të pranueshme.

Keine Kommentare: